Dorëzohet platforma që përjashton bashkimin e Preshevës me Kosovën
Ekipi negociues ka dorëzuar në Kuvend platformën e përpiluar për dialogun me Serbinë. Sipas saj, nuk do të bisedohet për territor me shtetin serb, ndërsa nuk do të kërkohet bashkimi i Luginës së Preshevës, siç pretendonte para disa muajve kryenegociatori i vërtetë me Serbinë, presidenti Hashim Thaçi. Në platformën e siguruar nga Gazeta Express, kërkohet formimi i një Tribunali Special për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve dhe kompensim i të gjitha dëmeve të luftës në Kosovë. Për Luginën e Preshevës parashihet avancimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi, por jo edhe bashkimi i Luginës me Kosovë
Në platformën e dialogut, të cilën dy bashkëkryesuesit e delegacionit kosovar, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, e përpiluan në koordinim me liderët shtetërorë, thuhet se bisedimet me Serbinë do të zhvillohen nën kornizat e Kushtetutës së Kosovës, dhe integriteti territorial nuk do të jetë një nga temat në tryezën e Brukselit.
Shqiptarët që jetojnë në Serbi, në këtë platformë përmenden në kontekstin e mbrojtjes së të drejtave, por jo edhe për bashkimin me Kosovën.
Një nga objektivat e Kosovës në platformë thuhet se do të jetë ‘avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar që jetojnë në Republikën e Serbisë, në reciprocitet tё plot me komunitetin serb në Republikën e Kosovë’.
Platforma e dorëzuar sot në Kuvend, synon që të krijohet një Tribunal Special për krimet e luftës të kryera nga Serbia në vitin 1998-1999, gjatë luftës në Kosovë.
“Marrёveshja pёrfundimtare duhet tё themeloj njё tribunal ekuivalent special për hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve tё luftёs tё kryera nga Serbia nё Kosovё nё vitet 1998 dhe 1999. Marrëveshja duhet të sigurojë qё tё ketё afate tё arsyeshme kohore pёr hetime dhe gjykime të tilla. Mosndëshkimi për krimet e luftës dhe shkeljet tjera të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare nuk do të tolerohet”, thuhet në një nga parimet e kësaj platforme.
Po ashtu, kërkohet edhe kompensimi i viktimave të luftës, zbardhja e fatit të personave të pagjetur, drejëtës për viktimat e dhunës seksuale si dhe kthimi i pronave.
Platforma e dialogut kërkon edhe shfuqizimin e Rezolutës 1244, të cilën Serbia vazhdon ta nderojë. Delegacioni, sipas këtij dokumenti, do të kërkojë që të shuhet plotësisht rezoluta e nxjerrë nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Kosova nuk është më një shtet i sapo dalë nga lufta. Pavarësia e mbikëqyrur ndërkombëtarisht u përmbyll me sukses në vitin 2012. Ky fakt duhet të rezultoj me shfuqizimin e plotë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së (1999)”, thuhet në platformë.
Rezultati përfundimtar i bisedimeve dhe arritja e marrëveshjes me Serbinë, përvec njohjes reciproke, është edhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Kjo duhet të ndodh për të siguruar që marrëveshja të ketë shkallën e nevojshme të qëndrueshmërisë dhe mbështetjes nga komuniteti ndërkombëtar. Rezultati përfundimtar në këtë proces është votimi në Këshillin e Sigurimit dhe Asamblenë e Përgjithshme për të siguruar anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara”.
Platforma që tash është në Kuvendin e Kosovës, i drejtohet edhe Bashkimit Evropian, duke i kujtuar se Serbia nuk mund të anëtarësohet në këtë union, në qoftë se nuk arrin dhe nuk e zbaton marrëveshjen me Kosovën.
“Përfundimisht, BE-ja dhe vendet anëtare të saj nuk mund t’i konsiderojnë zotimet që dalin nga Kapitulli 35 si të përmbushura deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme dhe zbatimit të saj në të gjitha aspektet”.
Kjo platformë i është dorëzuar sot në orën 10:00, kryeparlamentarit Kadri Veseli, ndërsa pritet që brenda ditës t’iu shpërndahet të gjithë deputetëve.
Parimet e kësaj platforme janë përmendur edhe më parë nga ekipi negociues dhe nga krerët shtetërorë, në përjashtim të Presidentit Thaci, i cili ka përmendur kompromise që duhet bërë me Serbinë, e që disa herë i ka quajtur edhe si ‘të dhimbshme’.
Përvec PSD’së, pjesa tjerër e opozitës në Kuvend, kanë kundërshtuar formatin e deritanshishëm të Dialogut, të udhëhequr nga Presidenti Thaci. LDK dhe vetëvendosje nuk kanë pranuar që të jenë as pjesë të ekipit negociator, i cili u rezervon vende edhe atyre.
Dy bashkëkryesuesit e delegacionit Ahmeti e Limaj, dje në finalizimin e platformës u kanë bërë thirrje opozitës që ta përkrahin atë dhe t’u bashkohen ne negociatat me Serbinë për një marrëveshje finale. Platforma është paralajmëruar se së shpejti do të diskutohet në Kuvend. /Express/
Leave a Reply