Tendenca skandaloze e zyrtares pro-serbe të BE-së për negocimin e Trepçës

Federica Mogherini dhe Maja Kocijancic
Deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian në favor të Serbisë dhe kundër Kosovës tashmë janë bërë të zakonshme. Sikurse shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila ishte bërë e njohur për deklaratat e saja të njëanshme karshi Kosovës, edhe zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijanciç, po “shquhet” për deklaratat pro Serbe kundër Kosovës. Në linjën pro-serbe është edhe deklarata e saj se cështja Trepçës duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Kërkesat e Bashkimi Evropian ndaj Kosovën nuk kanë të ndalur. Së fundi Bashkimi Evropian ka kundërshtuar vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me votimin e Statutit të ri për Trepçën.
Me këtë çështje ka reaguar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijanciç.
Sipas Kocijanciç, kjo çështje duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Ajo ka thënë se të gjitha çështjet e pazgjidhura ndërmjet dy shteteve duhet të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut.
Sikurse shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila ishte bërë e njohur për deklaratat e saja të njëanshme karshi Kosovës, edhe zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijanciç pas kësaj deklarate po akuzohet për qëndrimet e saj kundër Kosovës dhe pro-Serbisë.
Lidhur me ketë, të menjëhershme ishin edhe reagimet e palës së Kosovës. I pari që reagoi ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa në një linjë me Haradinajn u deklaruan edhe kryetari i partisë më të madhe opozitarë, Isa Mustafa.
Gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar deputetë dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ata konsiderojnë se kërkesa e fundit e Bashkimit Evropian është absurde, dhe se me ketë po dëshmohet se po mbahet anësia ndaj Serbisë.
Haradinaj: Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka reaguar ashpër BE-së, e në veçanti zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijanciç, pasi kjo e fundit kërkoi që Trepça të jetë pjesë e dialogut në Bruksel, përcjellë “Bota sot”.
Ai ka deklaruar se Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës.
“Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.
Mustafa: Më habiti kërkesa e BE-së
Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj kërkesës së BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun me Serbinë, ku ka thënë se Kosova në asnjë fazë nuk ka biseduar për pasuritë natyrore me Serbinë, përcjell Bota sot.
Mustafa ka thënë se duhet të jemi bashkë dhe të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror.
“Më habiti kërkesa e BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun me Serbinë. Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës”, ka deklaruar ndër tjerash kreu i LDK-së.
Avdyli: Pasojë e politikës jokoherente e Hashim Thaçit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, duke folur për reagimin e Bashkimit Evropian, ka thënë se hapja e temave të brendshme po bëhet si pasojë e politikave të gabuara të presidentit Thaçi.
“Krejt kjo hapje e temave te brendshme, unë e shoh edhe pasojë e politikës jokoherente e Hashim Thaçit i cili si duket ne qendrat vendimmarrëse nuk po donë apo nuk po din ti mbroj interesat e shtetit te Kosovës”, ka thënë Avdyli, për gazetën “Bota sot”.
Sipas Avdylit, presidenti Thaçi nuk merr vendime për t’i vënë vija të kuqe temave të ndihmë, për shkak, siç konsideron Avdyli, sepse kreu i shtetit është i shantazhuar nga Gjykata Speciale.
Leave a Reply