Merovci: Rugova ishte i urtë por jo i butë, ishte njeriu i përmasave përtej kombëtare

Ibrahim Rugova dhe Adnan Merovci
I pyetur nga “Bota sot” se si e kujton presidentin Rugova në këtë 13 vjetor të vdekjes së tij, Adnan Merovci, njeriu më i afërt i tij është shprehur se e kaplojnë dy momente.
“Thuhet se koha e bënë të veten. Kjo thënie është shumëdimensionale. Koha sqaron shumë çështje, koha vërteton shumë çështje, koha artikulon njerëzit në vendet e tyre. Kur i referohem kohës dhe dua të shprehem për Presidentin RUGOVA, disi pakontrollueshëm më kaplojnë dy momente. Njëri emotiv-nostalgjik për njeriun që e njoha dhe punova me të nga afër dhe tjetra për njeriun e përmasave përtej kombëtare”, është shprehur ai për “Bota sot”.
Për më tepër, ai është shprehur se presidenti Rugova po kalitet në kujtesë si njeri që njohu popullin e vet dhe artikuloi kërkesat politike për Kosovën dhe me fanatizëm politik krijoi opinionet publike ndërkombëtare në favor të saj
Ai ka thënë se, presidenti Rugova mori në mbrojtje popullin e vet karshi okupimit klasik serb.
“Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar ai mori në mbrojtje popullin e vet karshi okupimit klasik serb. Organizoi jetën, arsimin, shëndetësinë, solidaritetin, kulturën, diplomacinë duke ruajtur qenien njerëzore të popullit të vet, e cila kanosej të asgjësohet po të lejonte luftën e hapur në fillim të dekadës në fjalë. Ai këto i arriti vetëm me fuqinë e idesë së tij të artikuluar me fjalë të thjeshta dhe të kuptueshme të cilat populli i kuptoi, pranoi dhe respektoi deri në fund”, ka theksuar Merovci për “Bota sot”.
Ndërsa, si bashkëpunëtor i afërt, Merovci thotë se e nga Presidenti Rugova ka marrë shumë mësime.
“Personalisht, Presidentin RUGOVA e kujtoj si një njeri nga i cili mësova shumë duke u rrezatuar nga reflektimet e tij njerëzore, intelektuale dhe miqësore”, ka theksuar ai për “Bota sot”.
Merovci për “Bota sot” është shprehur se presidenti Rugova po na mungon, por e ka kryer misionin e tij.
“Motoja e Presidentit RUGOVA ishte: liri, pavarësi, demokraci! Liria dhe pavarësia u realizuan. Demokracia është element fluid, i lëvizshëm, i gjallë, ka nevojë për afirmim, ushqim, mirëmbajtje! Demokracia e shëndoshë d.m.th shoqëria e shëndoshë dhe me perspektivë. Marrë parasysh këto, them se Presidenti RUGOVA po na mungon, megjithatë ai kreu misionin e tij. Na mbetet neve që të punojmë dhe vazhdojmë shtigjeve që na i trasoi ai. Jo rastësisht motoja: “Në hap me RUGOVËN”, është doktrinë dhe porosi që ne duhet vazhdimisht ta synojmë!”, ka deklaruar Merovci për “Bota sot”
Leave a Reply