LDK e konsideron “hajgare” grupin e unitetit, s’bëhet pjesë e dialogut pa një Qeveri të re

Spread the love

LDK e konsideron “hajgare” grupin e unitetit, s’bëhet pjesë e dialogut pa një Qeveri të re

LDK e konsideron “hajgare” grupin e unitetit, s’bëhet pjesë e dialogut pa një Qeveri të re

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet pjesë e ekipit të unitetit për bisedime me Serbinë, derisa Kosova nuk krijon një Qeveri të re dhe legjitime. Deputeti i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, thotë se ekipi i përfaqësuar nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, nuk ka legjitimitet dhe nuk përfaqëson as minimalisht vullnetin e popullit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e quan institucion paralel dhe pa legjitimitet grupin e unitetit për dialogun me Serbinë, që përbëhet nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

Ai thotë që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk bëhet pjesë e ekipeve të tilla improvizuese që nuk përfaqësojnë as minimalisht vullnetin e popullit, pasi, siç thotë Abdixhiku, partia që udhëhiqet nga Isa Mustafa shtetin e trajton më seriozisht.

Në një prononcim për Gazetën Express, Abdixhiku thotë se LDK-ja ka shprehur qëndrimin e saj që kryeministri i Republikës së Kosovës është institucioni i thirrur për të udhëhequr këto bisedime.

“Për mendimin tim, LDK nuk duhet të bëhet pjesë e asnjë institucioni paralel e që për më tepër është pa legjitimitet. LDK ka shprehur qëndrimin e saj se dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Kryeministri i Kosovës, sepse Kosova është shtet dhe ka institucione shtetërore të thirrura për këtë punë. Abstenimi i kryeministrit nga procesi i dialogut nuk arsyeton krijimin e quasi-institucioneve për të mbuluar këtë abstenim”, ka thënë Lumir Abdixhiku për Gazetën Express.

Sipas deputetit të LDK-së, ekipi aktual negociator i cili përfaqësohet nga Limaj e Ahmeti, është pa legjitimitet dhe nuk përfaqëson as minimalisht vullnetin e popullit të Republikës së Kosovës.

“Ekipi i tanishëm negociator është ekip i improvizuar dialogues, ekip që devalvon institucionet shtetërore, e për më tepër ekip pa legjitimitet politik meqë përbëhet nga parti minore që nuk përfaqësojnë as minimalisht vullnetin qytetar. Në rrethana të tilla LDK s’bëhet pjesë e proceseve arnuese sepse shtetin e sheh më seriozisht”

Ai e ka bërë të qartë që LDK-ja nuk bëhet pjesë e dialogut, pa pasur zgjedhje të reja të cilat do të mund të prodhonin legjitimitet politik.

“LDK në disa raste ka ftuar partitë politike për konsensus e për arritje të pajtueshmërisë nacionale për procesin e dialogut. Konsensusi politik do të mund të prodhonte Qeveri të re, e me këtë edhe legjitimitet politik. Pas këtij legjitimiteti Kosova do të dialogonte mbarë e mirë. Deri në arritje të një situate të tillë, ne nuk ndryshojmë qëndrim”, ka përfunduar Lumir Abdixhiku për Gazetën Express.

Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thotë se legjitimitetin këtij grupi negociator ia ka dhënë Kuvendi i Republikës së Kosovës, megjithatë thekson faktin se jashtë këtij grupi kanë mbetur dy parti [LDK dhe Vetëvendosje], të cilat përfaqësojnë një pjesë të madhe të elektoratit.

Megjithatë ai dyshon se LDK-ja mund ta votojë marrëveshjen në momentin kur do të sillet në Kuvend.

“LDK vazhdimisht ka qenë pjesë e rëndësishme e proceseve në të cilat është vendosur për vendin. Tash ka vendosur të mos bëhet pjesë e grupit, por nuk jam i sigurt se nuk do të votojë marrëveshjen që do të vijë në Kuvend. Nëse LDK synon që pala kosovare të mos arrijë marrëveshje të dëmshme, atëherë do të duhej bërë pjesë e procesit, për ta parandaluar një gjë të tillë”, ka thënë Mushkolaj.

Ai thotë se LDK-ja nuk e ka me patjetër që të bëhet pjesë e ekipeve në krye të të cilit është Hashim Thaçi.

“Kështu si ka zgjedhur të jetë, atëherë le ta mbajë deri në fund qëndrimin kundër dhe të mos e votojë as marrëveshjen, kur ajo të sillet në Kuvend. Jo domosdoshmërisht duhet bërë pjesë e një ekipi negociator, i cili krijohet për të monitoruar/ndihmuar një proces, në krye të të cilit është presidenti Thaçi”, ka përfunduar Mushkolaj për Gazetën Express.

Të enjëten me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, është mbajtur një takim i grupit të unitetit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Në atë takim ishin edhe Haradinaj e Thaçi, por thirrjen e bojkotuan Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës.

Limaj në fjalën e tij pas takimit, ka thënë se ambasadorët e QUNIT-it kanë mbështetur këtë delegacion shtetëror të Kosovës për dialogun me Serbinë./GazetaExpress/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*