Ministri i Tregtisë, Endrit Shala, mund t’i kërkojë Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë në rastin e çmimit të naftës dhe benzinës, i cili vazhdon të jetë i lartë, edhe pse kudo në botë ka rënie. Këtë, Shalës ia mundëson ligji.
Endrit Shala ende s’ka thënë asnjë fjalë për çmimin e derivateve.
Ndërkohë sa kosovarët paguajnë çmimin e njëjtë të naftës e benzinës sikur vendet që kanë standard të lartë të jetesës, edhe pse ka rënie të këtij çmimi kudo në botë, zgjidhje për këtë do të mundë të japë ministri i Tregtisë.
Këtë atij ia mundëson ligji.
Endrit Shala mund t’i kërkojë shefit të ekzekutivit që Qeveria e Kosovës të ndërhyjë në rastet e çrregullimit të brendshëm.
Sipas nenit 11 të ligjit që rregullon tregun e brendshëm, Ministri i Tregtisë një ndërhyrje të tillë mund ta kërkojë në këto tre raste:
“a) Kur ka mungesë të papritur dhe të vazhdueshme të naftës dhe derivateve të saj;”
“b) fatkeqësive të mëdha natyrore, apo;”
“c) lëvizjeve të mëdha të çmimit të naftës dhe derivateve të saj në tregun botëror dhe mospërshtatjen e çmimeve vendore me lëvizjet e tilla”.

Kjo e fundit ka ndodhur kudo në botë. Nafta dhe benzina kanë rënë në çmim. Kjo është zbritja më e madhe e çmimit të derivateve në dy vitet e fundit.
Në vendin fqinj të Kosovës, Maqedoni nafta është 1 euro, ndërsa benzina katër centë më shumë.
Ndërsa, kosovarët paguajnë 1.14 euro për naftë, e 1.15 euro për benzinë. Vetëm pak centë më pak sesa kroatët, të cilët kanë standard shumë herë më të zhvilluar së Kosova. Në Kroaci nafta po kushton 1.35 euro, ndërsa benzina 1.30.
Gazeta Express të enjten ka provuar të flasë me ministrin Shala. Por, ai nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetës.
Nga ana tjetër, Durim Limaj, shef i kabinetit të Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, javën që shkoi në “Pressing” kishte larguar përgjegjësinë e MTI-së nga ky rast.
“MTI nuk i rregullon çmimet”, kishte thënë Limaj. “As nuk i vendos akcizat apo taksat”, ka shtuar ai në T7.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, përmes telefonit i ka thënë gazetës se MTI-ja, ndërhyrje të Qeverisë në treg, mund të kërkojë vetëm në rastet kur ka ndonjë gjendje të jashtëzakonshme apo emergjente.
“Kryeministri ka kërkuar nga MTI-ja të informohet për gjendjen dhe shqetësimet e ngritura si dhe të merren parasysh ato, në lidhje me shqetësimet për çmimet e derivateve në vend”, ka shtuar Gashi për Gazetën Express.
Ndërkohë, kryeministri Ramush Haradinaj, një ditë më parë ka takuar përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve, përfshirë edhe kryetarin e saj.
Sipas tij, në takim ai thotë se ka “shprehur interesimin institucional për çmimin e naftës dhe derivateve të saj në tregun e Kosovës”.
“Pasi dëgjova edhe qëndrimin e tyre, premtova për angazhimin tim për zgjidhjen e shumë pengesave administrative me të cilat po përballet ky treg, siç janë mungesa e ligjit për naftën dhe e depove doganore, si dhe taksa për kyçjen në rrugë, të cilat e rrisin koston e importuesve dhe rrjedhimisht edhe çmimin në treg. Duke respektuar tregun e lirë, kam insistuar në kujdes ndaj qytetarëve të vendit”, ka thënë shefi i ekzekutivit, në një shkrim të tij në Facebook.
Ndërkohë, kryetari i Autoritetit Kosovar i Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka bërë të ditur do të kërkojë nga Prokuroria Speciale e Kosovës ta hetojnë së bashku industrinë e naftës.
“Duke e konsideruar se tregu i derivateve të naftës është mjaft i ndjeshëm, nesër, po ashtu do ta kërkojë ndihmën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që së bashku ta hetojmë këtë dukuri me kujdes, ata nga këndvështrimi penal, AKK nga këndvështrimi civil”, kishte deklaruar Prestreshi të dielën. /GazetaExpress/.
Leave a Reply