Kërkohet mbështetje financiare për viktimat e dhunës në familje

Spread the love

Kërkohet mbështetje financiare për viktimat e dhunës në familje

 

74 gra e fëmijë, viktima të dhunës në familje, këtë vit gjetën strehë në Strehimoren “Shtëpia e Sigurt”, në Gjakovë.

Sakibe Doli, nga kjo qendër, thotë se gratë që vendosen në strehimore, përveç strehimit e rehabilitimit, aftësohen edhe profesionalisht në zanate të ndryshme, me qëllim të pavarësimit e integrimit të tyre në shoqëri.

Kanë kaluar pesë muaj prej kur S. B. është larguar nga shtëpia e saj, për t’u vendosur në “Shtëpinë e Sigurt”, në Gjakovë.

37 vjeçarja, në kushte anonimiteti rrëfeu për  Radio Kosovën se ishte dhuna e vazhdueshme ajo që e shtyu atë që të raportojë rastin në polici, e më pastaj të vendoset në strehimore, ku po ndihet e sigurt dhe po trajtohet mirë. Por, edhe përkundër kësaj, kjo nënë e një fëmije, tregon se planifikon të largohet nga vendi që iu bë strehë në ditët me të vështira.

S.B., me qëllim të pavarësimit të saj po ndjek edhe një kurs rrobaqepësie. Sakibe Doli nga Strehimorja “Shtëpia e Sigurt” tregon se për pavarësimin dhe riintegrimin e tyre, viktimave u ofrohen disa kurse.

“Ofrohet kursi i rrobaqepësisë, floktarisë e administrimi i zyrës. Pastaj, këtu në strehimore bëhet gatimi i brumërave dhe ëmbëlsirave. Kemi edhe një minifermë të bletarisë, ku prodhohet mjaltë dhe disa kremra nga produktet e mjaltës”, tha ajo.

Sipas Dolit, shumë nga viktimat e dhunës në familje që ishin strehuar në strehimore, janë larguar nga aty si të pavarura falë edhe kurseve që kanë ndjekur. Ajo tregon se kanë edhe një “marrëveshje” të pa shkruar me gratë gjakovare të cilat kanë nevojë për mirëmbajtëse të shtëpisë apo kujdestare, e kjo, sipas saj, po i ndihmon gratë shumë.

“Qytetarët i marrin gratë te ‘Shtëpia e Sigurt’, shkojnë i kryejnë punët dhe përsëri i kthejnë në strehimore. E kemi si kriter që të vije një grua t’i marrë gratë këtu dhe t’i kthejë me makinë këtu në strehimore. Kjo bëhet për të evituar rrezikun edhe për t’ia siguruar gruas disa të mira materiale, të cilat do t’i shërbejnë asaj kur del nga strehimorja për fazën e riintegrimit”, pohoi ajo.

Sipas Dolit, problemi më i madh për pavarësimin dhe ri-integrimin e grave në shoqëri është mungesa e përkrahjes financiare nga shteti. Përderisa shton se jo rrallëherë ua kanë paguar edhe qiranë grave që pas një kohe janë larguar nga strehimorja “Shtëpia e Sigurt”, ajo kërkon nga shteti mbështetje financiare për gratë viktima të dhunës në familje. /Rtk/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*