Kosova zgjedhet organizatore për Kampionatin Europian U20 në basketbollin për femra

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) e ka fituar të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian U20, Divizioni B në konkurrencën e femrave.
Kampionati do të mbahet prej 3 deri më 11 gusht të vitit 2019 në Prishtinë, njofton Klan Kosova.
Këtë vendim e ka marrë Bordi i FIBA Evropës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur në Munich.
Shtetet pjesëmarrëse në këtë Kampionat do të jenë: Kosova, Islanda, Kroacia, Izareli, Ukraina, Irlanda, Britania e Madhe, Danimarka, Turqia, Rumania, Finlanda, Greqia dhe Bullgaria.
“Për FBK-në, por edhe për vet Kosovën dhe sportin kosovar në përgjithësi dhe në veçanti sportin femëror, kjo është një e arritur e madhe. Federata e Basketbollit të Kosovës këtë vit ishte organizatore e FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C, në të cilin Përfaqësuesja jonë triumfoi në mesin e nëntë shteteve duke u shpallur kampione dhe duke avancuar një Divizion më lartë, pra në atë B që nga viti 2019”, thuhet në njoftomin e FBK-së.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka thënë se punë e mirë që është bërë në Kosovë është arsyeja se pse do të organizohet edhe njëherë një ngjarje e tillë.
“Organizimi i shkëlqyeshëm i FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C në verën që e lamë pas si dhe puna e madhe që FBK po e bën me gjenerata të reja dhe interesimi ynë për të avancuar basketbollin femëror ka bërë që Bordi i FIBA Evropës sot të aprovojë kandidaturën e Kosovës”, ka thënë Dushku.
Leave a Reply