Trajneri portugez i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, ka kërkuar nga lojtarët e tij që ta dëshmojnë se mund ta përballojnë presionin që i bëhet atyre në ndeshjet e mëdha, si futbollist të këtij klubi, dhe i ka paralajmëruar se duhet të qëndrojnë shtëpi nëse nuk e bëjnë këtë gjë.
Manchester Unitedi është në rrezik të mbesë katër ndeshje pa asnjë fitore në shtëpi në garën evropianë për herë të parë në histori të klubit. Skuadra e Mourinhos do të tentojë të mos e bëjë këtë gjë kur ndeshet sonte me Young Boys në Old Trafford, transmeton Gazeta Express.
Pasi “Djajtë e kuq” barazuan në shtëpi në ndeshjen e fundit, të vlefshme për Premierligë, Mourinho i kritikoi lojtarët duke thënë se ata nuk luajnë me zemër, ndërsa tani ka kërkuar nga ta që ta përballojnë presionin.
“Mendoj se do të ishte mungesë respekti për stadiumin dhe tifozët nëse themi se lojtarët preferojnë të luajnë si mysafir. Nëse më pyesni mua, unë preferoj të luaj në shtëpi gjithmonë”, ka thënë Mourinho.
“Nëse e ndiejnë presionin kur njerëzit vijnë për t’i mbështetur, atëherë është më mirë të qëndrojnë në shtëpi dhe të shohin televizion. Unë kurrë nuk e ndiej presionin në shtëpi”.
Skuadra e Mourinhos është dy pikë larg liderëve të Grupit H, Juventusit, dhe dy pikë para klubit në vendin e tretë, Valencias, pasi që e mposhti Juventusin në shtëpi në xhiron e fundit me rezultat 2-1. /Gazeta Express/
Leave a Reply