
Kryeprokurori i deritanishëm i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ia dorëzoi detyrën u.d. Kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi. Kjo pasi Lumezit i skadon sot mandati.
Në ceremoninë e dorëzim-pranimit të detyrës, Lumezi i uroi suksese dhe mbarësi u.d. Kryeprokurorit Kelmendi, në ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe ligjore gjatë udhëheqjes së institucionit të Prokurorit të Shtetit.
Ndërsa, u.d. kryeprokurori Kelmendi, falënderoi Kryeprokurorin e deritanishëm, Aleksandër Lumezi, për punën, angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë ushtrimit të mandatit të tij.
Lëvizja në dorëzim-pranim të detyrës ndodhë pas skadimit të mandatit kushtetues shtatëvjeçar të Kryeprokurorit të deritanishëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë më 21 prill 2015.
Lumezi pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit e kishte marrë më 21 prill 2015.
Ndryshe, më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka votuar unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë.
Megjithatë, vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani e cila edhe më tej nuk e ka vënë firmën e saj.
Kjo pasi procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri është kritikuar shumë nga organizata të ndryshme joqeveritare të cilat kanë evidentuar parregullsi që nga mënyra e vlerësimit me pikë të kandidatëve e deri tek mënyra se si paneli intervistues u ka parashtruar atyre pyetjet.
Përveç kësaj, ky proces është kritikuar shumë edhe nga ambasadorët e huaj të akredituar në Kosovë, sidomos ai amerikan dhe britanik.
Leave a Reply