Balje Konjufcës: Thuaje të vërtetën për shpenzimet e karburanteve, unë s’jam hajdute

Spread the love

Deputetja Duda Balje i është drejtuar përmes një shkrimi në Facebook kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufcës në lidhje me raportimet për shpenzimet e karburanteve nga deputetët që jetojnë jashtë Prishtinës.

Balje ka kërkuar nga Konjufca të reagojë, ndërsa ka thënë se nuk ka gënjyer dhe nuk është hajdute, ashtu siç është raportuar tash e disa ditë.

Ajo ka thënë se ka pasur qindra thirrje dhe se njerëzit po e thërrasin “naftë” kur po e shohin në rrugë.

“I nderuari kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca, nga pozita në të cilën jeni, keni qenë të detyruar t’i drejtoheni publikut në emër të të gjithë deputetëve për shpenzimet e udhëtimit që rregullohen me Rregulloren e Kuvendit. Pse nuk pate guximin te thuash të vërtetën, të paktën timen, nuk kam gënjyer për vendbanimin tim ose nëse kam makinë. Për herë të parë prejse jam bërë deputete e këtij vendi, ndihem shumë keq, sepse në tri ditët e fundit kam pasur mbi 280 telefonata nga mediat, çdo qytetar tjetër që më kalonte në rrugë thoshte emrin ‘naftë’ në forma e kontekste të ndryshme”, ka shkruar deputetja Balje.

Ajo ka treguar gjithashtu se djalit të saj 13-vjeçar në shkollë po ia përmendin shpenzimet e nënës së tij, që sipas saj po e quajnë “hajdute”.

“Dje djali im 13-vjeçar pati një diskutim në klasë me miqtë e tij se si nëna e tij është një ‘hajdute’. Edhe djalit tim i është vështirësuar të shkojë në shkollë, për shkak të komenteve të ndryshme në emrin tim. Paramendoni si ndihet fëmija im në këto moment! Unë nuk jam hajdute dhe ti je kryetar i Kuvendit në të cilin punoj, thuaj të vërtetën, ose ndrysho rregulloren, merr një vendim tjetër për shpenzimet, hidhe në tryezë iniciativën e ligjit për deputetët. Si kryetar i Kuvendit ju takon të thoni të vërtetën e t’u dilni në mbrojtje deputetëve, të cilët nuk kanë vepruar asgjë kundër rregullores dhe ligjit”, ka shkruar Balje.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*