Kurti: Propozova një marrëveshje paqeje, ajo u refuzua nga Serbia pa u lexuar – kjo tregon mosgatishmëri për marrëveshje

Spread the love

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me presidentin serb në Bruksel ka dalë me një prononcim për media.

Kurti tha se ka propozuar një marrëveshje të paqes që ishte e balancuar, por nuk u pranua nga Serbia.

“Propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene të një deklarate të paqes mes Kosovës dhe Serbisë që u refuzua. Marrëveshja u refuzua ende pa u lexuar. Për mua kjo tregon mos gatishmëri për marrëveshje”, ka thënë Kurti.

“Gjithashtu zv.ministri Bislimi lexoi 11 pika që që paraqesin 11 barriera tregtare që Serbia duhej t’i eliminonte për barrierat”.

Kurti thotë se janë dakorduar që gjatë gushtit të ketë edhe një takim të delegacioneve, ndërsa një tjetër takim midis krerëve në shtator.

Kryeministri theksoi se te pika për të pagjeturit ka insistuar që të futet edhe togfjalëshi “ballafaqimi me të kaluarën”.

“U pranua propozimi nga Borrel, por jo edhe nga Vuçiq i cili nuk pranoi që të diskutohet kjo pikë. Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm dhe më vjen keq që nuk u pranua nga Serbia që edhe ky togfjalësh të përfshihej. Nuk e kuptoj pse duhet ai të ketë frikë, ballafaqimi për të kaluarën është i domosdosshëm, është për të ardhur keq që nuk e patëm një deklaratë të përbashkët”, tha ndër të tjera Albin Kurti.

Ky ishte takimi i dytë Kurti – Vuçiq në kuadër të dialogut në Bruksel.

Ndërkaq, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në mars të vitit 2011, fillimisht në nivel teknik.

Në tetor të vitit 2012, ky proces kaloi nga niveli teknik në atë politik, kur kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq nisën negociatat.

Në prill të vitit 2013, palët arritën Marrëveshjen e Brukselit, por shumica e marrëveshjeve që janë pjesë e saj, ende nuk janë zbatuar.

Kosova heziton që ta zbatojë Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit për shkak se kjo marrëveshje, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës ishte thënë se nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik të Kosovës.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve. /Telegrafi/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*