Në Viti,130 persona ndodhen në izolim, sot testohen 14 të tjerë për të parë nëse janë shëruar nga COVID-19

Spread the love

Në Viti,130 persona ndodhen në izolim, sot testohen 14 të tjerë për të parë nëse janë shëruar nga COVID-19

52 persona nga komuna e Vitisë janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19. 3 rastet e fundit nga kjo komunë u shënuan mbrëmjen e së martës. Ndërkaq sot do të ritestohen 14 persona që janë prekur me koronavirus, për të parë nëse janë shëruar apo jo. Drejtoresha e Shëndetësisë në Viti ka thënë për Express se janë 130 persona të cilët po qëndrojnë të izoluar në këtë komunë

Drejtoresha e Shëndetësisë në Viti, Vjollca Kadolli, ka thënë për Express se sot do të testohet një banor i Vitisë i cili ka kërkuar që t’i bëhet testi.

Ajo ka shtuar se 14 persona tjerë do të ritestohen për të parë nëse janë shëruar nga virusi COVID-19.

“Sot testohen gjithsej 15 persona. 14 janë ritestim, këta persona kanë dalë negativë në testimin e kaluar ndërkaq sot ritestohen për të parë nëse janë shëruar apo jo. Ndërkaq rasti tjetër është një qytetar i cili vetë ka kërkuar që t’u nënshtrohet testimeve”, ka treguar Kadolli.

Ajo shtoi se në Klinikën Infektive të QKUK-së po qëndrojnë të shtrirë 5 banorë të komunës së Vitisë të cilët janë të konfirmuar me COVID-19.

“Në Klinikën Infektive janë 5 persona nga Vitia. Në mesin e tyre është edhe një grua shtatzënë. Kam kontaktuar me ta, gjendjen e kanë stabile”, ka deklaruar Kadolli.

Ajo shtoi se deri më tani nga komuna e Vitisë janë shëruar 7 persona të cilët ishin konfirmuar me koronavirus.

Kadolli bëri të ditur se janë 130 persona të cilët po qëndrojnë të izoluar dhe nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe policisë.

“130 qytetarë po qëndrojnë të izoluar. Janë nën përcjellje të QKMF’së por edhe policisë e organeve tjera. Ata janë familjarë të afërt dhe të largët të të prekurve të mëhershëm”, ka thënë Kadolli.

Ajo shtoi se QKMF’të e Vitisë janë mjaftueshëm të furnizuara me materiale shpenzuese, si maska, dorëza e rroba për stafin mjekësor.

Ndërkohë, numri i personave të konfirmuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 790.

Nga ta janë shëruar 232, ndërkaq kanë vdekur 22 persona.

Bazuar në masat e reja të vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill. /GazetaExpress/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*