14 të infektuar me COVID-19 nga Vitia ritestohen sot për të parë nëse janë shëruar

Spread the love
Fotografia e Sefedin Osmani

14 banorë të Komunës së Vitisë të infektuar me COVID-19 do të ritestohen sot për të parë nese janë shëruar apo jo. Në mesin e atyre që do të ritestohen disa janë nga fshati Stubëll, të cilët gjenden në karantinë që nga 13 marsi, kur është paraqitur rasti i parë me koronavirus. Nëse sot dalin negativë, ata do të testohen edhe nesër, raporton Express.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli ka treguar për Express se këta persona janë duke u testuar për të tretën herë.

Ajo ka treguar se përve tyre, sot u janë marrë mostrat edhe tre personave të tjerë të cilët dyshohet se janë infektuar me COVID-19. Rezultatet e tyre pritet të dalin në mbrëmje.

“Sot janë dërguar për ritestim mostrat e 14 të infektuarve për të parë nëse janë shëruar. Disa janë prej Stubllës së Vitisë, të cilët janë në izolim që prej fillimi. Nëse sot dalin negativë, testohen edhe nesër edhe varësisht prej rezultatit dihet a janë shëruar apo jo. Përve tyre sot janë marrë mostrat edhe të tre personave të tjerë të cilët dyshohet se janë infektu. Rezultatet dihen në mbrëmje”, ka thënë Kadolli për Express.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar 32 raste të reja me COVID-19, duke bërë kështu që numri i të infektuarve në të gjithë vendin të shkojë në 763. Deri tani, 163 persona janë shëruar, derisa 22 kanë vdekur.

“Sot më 26 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 297 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e dy (32) raste”, thuhet në njoftim.

Rastet e konfirmuara janë raste kontakti nga Peja, Kaçaniku, Deçani, Prizreni, Suhareka dhe Shtimja.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, njëzet e tre (23) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: katërmbëdhjetë (14) raste Pejë, pesë (5) raste Nakëll dhe katër (4) raste Bllagajë), katër (4) raste me vendbanim në Runjevë-Kaçanik, dy (2) raste me vendbanim në Strellc i epërm-Deçan dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Hoçë e Qytetit-Prizren, Sallagrazhdë-Suharekë dhe Shtime”, njofton IKShP-ja. 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*