Reagon Hoxha pas shkrimev tendencioze

Spread the love
Fotografia e Xheladin Halili

Hoxha i njohur Vitias Xheladin Halili ,nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook, ka reaguar pas sulmev dhe shkrimev tendencioze qe po i bëhen bashkësis islame dhe hoxhallarëve në Viti e më gjërë.

Ai kritikuesve u perkujtoi se duhet te merrni pjesë në xhami e varrime dhe të jeni mirë të informuar, pastaj të vlersoni e kritikoni .

Hoxha reagoi edhe ndaj udhëheqësve te KBI-së në Viti, të cilët nuk kanë reaguar pas këtyre sulmev .

Shkrimi i tij i plot :

REAGIM ME SHKAS
(Përgjigje ndaj atyre që kërkojnë ta adhurojmë Zotin vetëm shqip!)
Pse nuk faleni shqip? Pse nuk ligjëroni shqip? Pse nuk i varrosni shqiptarët (besimtarët islam) shqip? Pse nuk faleni e ligjëroni në “gjuhën e perëndisë” – gjuhën shqipe!?
Këto janë disa nga pyetjet e shpeshta që na shtrohen tash e një kohë të gjatë, sidomos nga disa intelektualë e njerëz që jemi mësuar me ta, por së fundi nga njerëz të komunës sonë (janë bërë zëra të shpeshtë) kishte një shkrim në lidhje me përdorimin e gjuhës arabe në varrime, dhe përse nuk po i varrosim vëllezërit e motrat tona duke u lutur në gjuhën e bukur shqipe?!
Shkrimi dukej goxha qortues, por jo i saktë dhe me qëllim të pastër!
A është e vërtetë se në varrime këndojmë-lutemi vetëm arabisht!?
JO! E vërteta është krejt ndryshe. Mbi 90 % të ligjërimit, shpjegimit dhe duave-lutjeve i bëjmë në gjuhën tonë. Kudo që jemi; në xhami, tubime fetare, varrime etj., ajo çfarë recitojmë e këndojmë në arabisht nuk është as edhe 10 %, në krahasim me atë që e bëjmë në shqip. Mjafton të marrësh pjesë në xhami e tubimet tona fetare dhe do të bindeni se nuk është e vërtetë ajo që e thonë pretenduesit. Dhe ky është një fakt!
Të tillët ose nuk kanë njohuri të mirëfillta mbi këtë problematikë fetare dhe reagojnë pa i analizuar fare fjalët e tyre në opinion, ose e dinë realitetin, por që nuk duan ta pranojnë. Para se të reagojnë e të shkruajnë për këtë problematikë, do të duhej së paku të pyesnin e këshilloheshin me ndonjë njohës të kësaj fushe, në mënyrë që të merrnin përgjigjen e duhur, dhe jo të nguten duke shkruar për një çështje nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë. Duke hapur debate të panevojshme në opinon, e sidomos në këtë kohë kur njerëzit mezi presin për të nxitur përçarje, dhe krejt kjo për teket e dikujt që shkruan vetëm sa për të thënë diçka patriotike, por edhe në mungesë të informacioneve për çështjen në fjalë, që nuk besoj se nuk mund ta di. Këta njerëz, si duket po pikëllohen shumë nga interesimi i madh i shqiptarëve dhe botës në tërësi për mësimet e islamit, dhe jo që kanë kaq etje të madhe për gjuhën tonë të bukur.
Na e paraqesin gjuhën shqipe si gjuhë perëndie, thua se këta e paskan dëgjuar zotin e tyre duke folur shqip me Ademin-njeriun e parë (paskësh qenë iliro-shqiptar edhe ai), dhe kinse gjuha jonë e bukur po nënçmohet prej nesh, kur ajo para masës po zëvendësohet me këndime melodike në arabisht. Këtë të pavërtetë të madhe sikur qëllimshëm po e hedhin në arenën e debateve, ku për synim kanë më shumë fyerjen e islamit, se sa që e kanë kaq dert të madh gjuhën e ëmbël shqipe. Qëllimshëm e ngacmojnë shqiptarin për temat e mëdha të atdheut, se ja hoxhallarët nuk e duan gjuhën e nënës, sepse kështu po i mësuaka Kurani dhe feja islame. Pastaj pritni reagimet dhe fyrjet e shqiptarëve, për të cilën gjë nuk përtojmë fare, sidomos kur hapen tema që ndërlidhen me fenë islame.
Po të na thoshte Kurani e Muhammedi a.s. se ne do të duhej të flisnim, ligjëronim e luteshim vetëm arabisht, atëherë si do të shpjegohej puna e gjithë atyre hoxhallarëve-rilindasve, të cilët gjithnjë ishin në ballë të kauzës kombëtare për të mbrojtur gjuhë, atdhe e flamur!?
– Si do të shpjegohej kontributi i tyre i madh që kishin dhënë dhe vazhdojnë ta japin për të mirën e shqiptarisë mbarë?!
-Si do të shpjegohej fakti, kur pikërisht ylemaja nga të gjitha viset shqiptare ishin ata që, duke e kuptuar drejt mesazhin e Kuranit dhe mësimeve pejgamberike; për ruajtjen e atdheut, gjuhës, kombit etj., përçonin mesazhe te masa e gjerë e popullit, se shqiptar e besimtar i mirë konsiderohet ai që dashurinë ndaj atdheut e gjuhës e ka pjesë të besimit!?
– A nuk ishte ky Kuran i cili i mësoi të bënin vepra madhore për gjuhën!?
– A nuk ishte kjo fe e kjo gjuhë e Kuranit që i radhiti në piedestalin më të lartë të atdhedashurisë!?
– A nuk ishin hoxhallarët të parët që u kujdesën për abetaren dhe shkronjat e kësaj gjuhe që na e fali i Madhi Zot!?
– A nuk ishin hoxhallarët të parët që hapën mësonjëtore në gjuhën shqipe!?
-Për Zotin e Madh, ku e keni parë ju se ne po e anashkalojmë gjuhën tonë të bukur!?
Këtë s’mund ta shihni askund, sepse pikërisht ne jemi ata që e flasim më mirë se ju, e shkruajmë më mirë se ju, po edhe kujdesemi ta ruajmë shqipen e bukur më fort se ju. Dhe jo rastësisht, sot (dje gjithsesi), pikërisht disa hoxhallarë po bëjnë studime të jashtëzakonshme për gramatikën dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe, të cilat deri më sot ishin të panjohura edhe për gjuhëtarët më të mëdhenj që ka shqiptaria sot, e lëre më për kundërshtues dhe nxitës të këtij lloji. Sot, zbërthime e shpjegime të reja për gjuhën shqipe i ke përditë nëpër media elektronike dhe ato të shkruara, se si filan profesori (hoxhë) solli diçka të re mbi këtë apo atë problematikë gjuhësore.
Në komunën tonë shpeshherë lexojmë e dëgjojmë reagime nga njerëz të fushave e profileve të ndryshme, kush më shpesh e kush më rrallë. Para pak ditësh kishte edhe një shkrim të paargumentueshëm dhe të pamatur, se kinse gjatë varrimit shqiptarëve po u jepet lamtumira e fundit në gjuhën arabe. Është diçka tjetër të kesh urrejtje ndaj Kuranit dhe fesë islame, e diçka tjetër të thuhet një e pavërtetë e madhe për lutjet dhe këndimet që bëhen gjatë varrimit. Reagime dhe kundërshtime të ngjashme nga të tillët, nuk i dëgjojmë edhe aq kur është fjala për anglishten apo ndonjë gjuhë tjetër. Vetë qytetarët janë dëshmitarë, se në pjesën më të madhe të varrimit e bëjmë në gjuhën shqipe.
Ndaj shkrimeve dhe zërave të tillë që bëheshin e po bëhen vazhdimisht në komunën tonë, do të duhej të reagonin udhëheqësit e KBI-së në Viti, por si duket ata janë shumë të zënë me garën e shenjtë, në mënyrë që t’ia vazhdojnë vetes edhe një dekadë në kolltuqet e ngrohta. Ata nuk e kanë shqetësimin e sulmeve që i bëhen institucionit tonë të shenjtë!
Nëpërmjet këtij shkrimi nuk synojmë assesi të gjykojmë tjetrin pse mund të mendojë e besojë ndryshe, apo edhe të mos besojë fare, ngase feja jonë e ndritur dhe ky Kuran që këndohet në gjuhën e kulluar arabe nuk na urdhëron për diçka të tillë, por na këshillon që ta mbrojmë të vërtetën e saj nëpërmjet forcës së argumentit. E nëse edhe pas fakteve të shtruara nuk duan ta pranojnë realitetin, atëherë ne nuk kemi punë me ta, por lutemi që Allahu t’i udhëzojë tek e vërteta!
E vërteta e madhe është kjo:
Hoxhallarët nuk po e nënçmojnë gjuhën e nënës, përkundrazi ata janë ruajtësit më të mëdhenj të saj. Prandaj të tillët meritojnë dua-lutje nga ne e jo të thuhet një e pavërtetë e madhe. Zoti ju udhëzoftë për tek e vërteta!

-Vijon-

(InshaAllah do të vazhdojmë edhe me dy pjesë të tjera, duke shkruar mbi mrekullinë dhe paarritshmërinë e gjuhës kuranore, dhe cilat lloje të ibadeteve-adhurimeve nuk mund t’i kryejmë në gjuhën shqipe.)

[Xh.H.]

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*