A i kanë siguruar numrat për qeverisje LVV-LDK, ky është numri i deputetëve që kanë për momentin

Spread the love

Gjatë ditës së djeshme në Qendrën për Numërim dhe Rezultatet (QNR), ka përfunduar rinumërimi i 1 mijë e 407 vendvotimeve. Për rinumërimin e këtyre vendvotimeve kishte marrë vendim Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pas ankesës që kishte parashtruar në PZAP, koalicioni NISMA-AKR-PD.

Rezultatet e rinumërimit nuk janë publikuar ende nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, megjithatë  nga koalicioni NISMA-AKR-PD kanë thënë se pas procesit të rinumërimit ky koalicion do të jetë përfundimisht pjesë e parlamentit.

E, nëse kjo konfirmohet zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve atëherë koalicioni NISMA-AKR-PD do të përfaqësohet në Kuvend me 6 deputetë, shkruan Telegrafi.

Hyrja e këtij koalicioni në Kuvend, do të zbres numrin e deputetëve të subjekteve tjera politike.

Lëvizja Vetëvendosje nga 32 deputetë sa kishte fituar do të mbetet më 29 deputetë, kësaj partie do të mund t’i largohen Alban Hyseni, Enver Haliti, Arta Bajralija.

Lidhja Demokratike nga 29 deputetë do të mbetet më 28, nga kjo parti pjesë e Kuvendit mund të mos jetë Valentina Bunjaku-Rexhepi apo ndonjë deputet tjetër.

Partia Demokratike e Kosovës nga 25 deputetë mund të mbet më 24, nga PDK mund të largohet Valdete Idrizi, apo ndonjë kandidat tjetër i cili ka fituar votat.

Kurse koalicioni AAK-PSD nga 14 ulëse sa kishte fituar në zgjedhjet e 6 tetorit, do të mbetet më 13, kësaj partie do të mund t’i largohet deputetja e vetme e PSD-së, Natyra Kuçi e cila kishte fituar mandatin e deputetes, kështu  që ky subjekt politik do të mbetet pa përfaqësim në Kuvend në legjislaturën e shtatë.

Mirëpo, pavarësisht numrit të deputetëve që do t’i zbritet Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti i cili pritet ta formojë Qeverinë e re të Kosovës  së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka deklaruar dje se ka siguruar shumicën parlamentare.

Kështu ka deklaruar ai pas takimit që ka pasur me deputetët e ardhshëm të komuniteteve jo shumicë, Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook, ka njoftuar se i është premtuar vota e tyre në Kuvend për kryeministër, pa kushtëzime.

Po ashtu, grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes para disa ditësh i është bashkuar edhe deputeti i Partisë Egjiptiane IRDK, Elbert Krasniqi.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti gjatë takimit me deputetin e Partisë Egjiptiane, Elbert Krasniqi

Në anën tjetër, LVV dhe LDK kanë zhvilluar disa takime ku kanë harmonizuar shumicën e programit për bashkëqeverisje.

Ndërkaq, kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka thënë se koalicioni me LDK-në, do të arrihet pas certifikimit të rezultateve.

Sipas deklaratave ku zyrtarë nga koalicioni NISMA-AKR-PD deklaruan se do të jenë pjesë e Kuvendit,  i bie që LVV do të ketë 30 deputetë në Kuvend, ( me Elbert Krasniqi nga partia Egjiptiane IRDK), LDK me 28 deputetë, PDK me 24 deputetë, AAK me 13 deputetë dhe pakicat në Kosovë me numrin tjetër të mbetur.

Sipas këtyre numrave i bie që koalicionin qeveritar LVV-LDK momentalisht ka 61 vota të deputetëve të ardhshëm në Kuvend, duke llogaritur këtu edhe tre deputetët nga komunitetet. 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*