Rregullorja e UEFA-s: Dënimet që mund ta presin Çekinë nëse bën thirrje kundër Kosovës

Spread the love

Rregullorja e UEFA-s: Dënimet që mund ta presin Çekinë nëse bën thirrje kundër Kosovës

Gazeta Express
14 Nëntor 2019

Çekia s’rrezikon të diskualifikohet nga Kampionati Evropian 2020, nëse e arrin kualifikimin, edhe nëse tifozët e saj bëjnë thirrje diskriminuese në drejtim të Kosovës, për shkak të Statuteve të UEFA-s.

Çekia e pret sonte Kombëtaren e Kosovës në stadiumin Doosan Arena, në Pilsen, në orën 20:45 për ndeshjen e parafundit në kuadër të Grupit A kualifikues për EURO 2020, shkruan Gazeta Express.

Me fitore në këtë përballje, Çekia e siguron një vend në EURO 2020, ndërsa Kosovës i bëhet e pamundur ta arrijë Evropianin përmes Grupit A. Megjithatë, çekët frikësohen se ndonjë thirrje politike e tifozëve çekë kundër Kosovës mund të bëjë që UEFA t’i ndëshkojë ata me pikë në Grupin A, ose t’ia regjistrojë si humbje ndeshjen e sotshme kundër Kosovës, pavarësisht rezultatit përfundimtar.

Por, statutet e UEFA-s theksojnë se dënimi me pikë të humbura ose diskualifikim nga një garë mund të ndodhë vetëm nëse tifozët e një Kombëtare e përsëritin atë veprim edhe në ndonjë ndeshje tjetër.

Për shkak që Çekia e zhvillon ndeshjen tjetër kundër Bullgarisë si mysafire, gjasat e Kosovës për t’u kualifikuar në kurriz të tifozëve çekë janë mjaft të vogla.

Neni 14 i Rregullative Disiplinore të UEFA-s, Racizmi dhe sjelljet e tjera diskriminuese, tregon se çfarë dënime mund t’i jepen Çekisë nëse bëhen thirrje apo veprime tjera kundër Kosovës.

“Cilido person që ofendon dinjitetin njerëzor të një personi ose grupit të personave në çfarëdo baza – përfshirë këtu ngjyrën e lëkurës, racën, fenë, origjinën etnike, gjininë ose orientimin seksual, dënohet me suspendim prej të paktën dhjetë ndeshjeve ose për një periudhë të caktuar kohore, ose me çfarëdo ndëshkimi tjetër të përshtatshëm”, shkruhet në Rregullativën Disiplinore të UEFA-s.

“Nëse një ose më shumë tifozë përfshihen në sjelljen e përshkruara në paragrafin e parë, Kombëtarja ose klubi përgjegjës dënohet me ndeshje të zhvilluara pa tifozë”.

“Dënimet e mëposhtme vlejnë për recidivizëm (përsëritje të veprimeve):

1. një ndëshkim i dytë për një ndeshje pa tifozë dhe një gjobë prej 50 mijë eurosh;

2. Çfarëdo veprimi tjetër i ngjashëm ndëshkohet me më shumë se një ndeshje të zhvilluar pa tifozë, mbylljen e stadiumit, humbjen e ndeshjes, heqjen e pikëve dhe/ose diskualifikimin nga gara”.

“Nëse rrethanat e kërkojnë, organi kompetent mund të urdhërojë ndëshkime të tjera shtesë për klubin ose Kombëtaren përgjegjëse, si zhvillimi i më shumë ndeshje pa tifozë, humbja e ndeshjes, heqja e pikëve dhe/ose diskualifikimi nga një garë”.

“Nëse suspendohet nga gjyqtare për shkak të sjelljes raciste ose diskriminuese, ndeshja mund të ndalet dhe skuadra përgjegjëse ta humbasë atë në tavolinë”.

Neni 45 i Rregullative të UEFA-s për Siguri i tregon hapat konkretë që duhet të ndërmerren gjatë një ndeshjeje nëse ka thirrje raciste ose provokuese.

“Organizatorët e ndeshjes, bashkë me zyrtarët policorë për ofrimin e sigurisë në atë ndeshje, duhet t’i parandalojnë veprimet provokuese nga tifozët brenda stadiumit ose në zonat përreth stadiumit (nivele të papranueshme të provokimeve verbale nga tifozët drejt lojtarëve ose tifozëve kundërshtarë, sjelljen raciste, pankartat provokuese ose flamuj, etj)”, shkruhet në Statutin e UEFA-s.

“Nëse veprime të tilla ndodhin, organizatori i ndeshjes, zyrtari i policisë për ndeshje dhe zyrtari për siguri duhet të ndërhyjnë përmes leximit të një deklaratë në stadium ose përmes largimit të materialeve ofenduese”.

“Rojet e sigurimit duhet ta kërkojnë vëmendjen e policisë për çfarë veprimi serioz të papranueshëm, përfshirë këtu thirrjet raciste, në mënyrë që ata persona të largohet nga stadiumi nëse policia vendos ashtu”.

“Organizatori i ndeshjes dhe klubet ose Kombëtarja duhet ta implementojnë dhe ta aplikojnë planin dhjetëpikësh të UEFA për racizmin”. /Gazeta Express/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*