Zaev: Nëse BE-ja s’na shpërblen për ujdinë me Greqinë, si mund të presë marrëveshje Kosovë – Serbi

Spread the love

Arritjen e marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, Bashkimi Evropian e ka konsideruar vazhdimisht si një prej shembujve që duhet të ndiqet nga Kosova dhe Serbia për arritjen e një marrëveshjeje finale, shkruan Gazeta Express.

Lidhur me këtë qëndrim të Bashkimit Evropian sot ka folur kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, i cili ka shprehur pakënaqësinë e tij me faktin se Evropa nuk po ia çel dyert për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Zaev ka thënë se në rast se Maqedonia Veriore nuk shpërblehet nga BE-ja për nënshkrimin e “Marrëveshjes së Prespës” me Greqinë, atëherë si pret që të arrihet një marrëveshje për Republikën e Kosovës.

“Të gjithë thonë se Marrëveshja e Prespës është një nga shembujt më të mirë në Ballkanin Perëndimor. Nëse BE-ja “penalizon” këtë marrëveshje dhe Maqedoninë e Veriut duke vonuar negociatat për pranim, si mund të presë që Aleksander Vuçiq dhe Hashim Thaçi të gjejnë një zgjidhje për çështjen e Kosovës, ose si do t’i motivojë liderët boshnjakë për të gjetur një zgjidhje në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Zaev, shkruan ‘Vesti-online’, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, Zaev thotë se Maqedonia Veriore nuk ka alternativë tjetër përveç Evropës.

 “Nuk kemi alternativë. Nëse BE-ja vendos që të mos hapë rrugën për negociatat e anëtarësimit, ne nuk do të dorëzohemi në rrugën tonë drejt BE-së. Kjo është e ardhmja jonë”, ka thënë Zaev.

Në fund ai ka paralajmëruar se në rast të shtyrjes së mëtejshme, mund të bie edhe qeveria në Maqedoni. /Express/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*