Arrestohet edhe personi i tretë për grabitjen në Shtime

Spread the love

Një person ka ndërruar jetë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pas një grabitje që u krye mëngjesin e së mërkurës në Shtime. Katër persona të maskuar dyshohet se kishin hyrë në shtëpinë e një qytetari për të grabitur. Policia e Ferizajt ka bërë të ditur se për këtë rast janë arrestuar tre persona.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Mehmetali Hajdini i ka thënë Gazetës Express se lidhur me grabitjen në Shtime deri më tani janë arrestuar tre persona. Të arrestuarit janë A.T 34 vjeç, A.T 44 vjeç dhe A.M 44 vjeç.

Hajdini kishte treguar për Express se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja.

“Dyshohet se katër persona të maskuar kanë hyrë në një shtëpi me qëllim grabitjen, por në shtëpi e kanë takuar pronarin e shtëpisë i cili ka ardhë dje prej Zvicrës. Personat e maskuar kanë kërkuar nga pronari i shtëpisë që  të dorëzohet, pasi nuk është dorëzuar,  njëri nga grabitësit e ka plagosur në këmbë pronarin e shtëpisë. Pas plagosjes së pronarit, grabitësit kanë ikur nga vendi i ngjarjes”, kishte thënë Hajdini për Express, të mërkurën.

Ai ka bërë të ditur se pas ikjes së grabitësve, pronari i shtëpisë kishte shkuar pas tyre. Në atë moment ai ishte takuar edhe me vëllain e tij, A.Ndrecaj, 36-vjeçar, i cili jeton në tjetër shtëpi.

“Pronari ka zbritur poshtë shtëpisë dhe e ka takuar vëllain e tij. Ata bashkë i kanë ndjekë të dyshuarit, diku jashtë oborrit janë takuar me njërin prej të dyshuarve, dyshohet të jetë i njëjti që e ka plagosur pronarin. Ai ka shtënë përsëri në drejtim të pronarit të shtëpisë dhe vëllait por nuk i ka qëlluar. Dyshohet se aty janë përleshur fizikisht në mes vete, janë goditur me mjetë të forta, po ashtu dyshohet se është përdorë edhe një thikë. Nga plagët e marra njëri prej grabitësve ka ndërruar jetë”, kishte bërë të ditur Hajdini.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit N.N, ndërsa të dyshuarit tjetër i është caktuar masa e arrestit shtëpiak një muaj, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje./GazetaExpress

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*