Shoqëria Civile e Vitisë kërkon që sheshi i qytetit të jetë hapësirë publike për qytetarët, pa qarkullim të automjeteve

Spread the love

Shoqëria Civile në Viti, me anë të një komunikate për media, kërkon nga Komuna e Vitisë që të zbatojë Planin e Mobilitetit, i cili ndër të tjera parasheh që qendra e Vitisë të shfrytëzohet si shesh dhe hapësirë e lirë për qytetarët, transmeton Plus Tv.
Në komunikatë thuhet se gjendja aktuale e kësaj pjese të qytetit në rrugën “Adem Jashari”, me qarkullimin e veturave po krijon ndotje të ajrit, tollovi, zhurmë dhe mbi të gjitha pasiguri për qytetarët.
Shoqëria civile e Vitisë, e sheh si të arsyeshme dhe konsideron që kjo zonë të kthehet në një shëtitore për qytetarët, në mënyrë që të mundësohet ecja në hapësirat e sheshit, lëvizja e lirë për këmbësorët dhe çiklistët, si kulturë e jetës së përditshme.

“Shoqëria Civile në Viti, ka ndjekur prej shumë vitesh diskutimet publike dhe iniciativat (strategjitë) për ta ndryshuar qendrën e Vitisë në funksion të krijimit të hapësirave për qytetarë, por, konsideron se deri më tash, asnjë strategji dhe Plan nuk është zbatuar, si pasojë e mungesës së vullnetit nga të gjitha qeverisjet në Viti. Me këtë rast, propozimi i Shoqërisë Civile në Viti, është që më në fund të bëhen ndryshimet e kërkuara prej dekadash nga qytetarët e Vitisë, që rruga “Adem Jashari” të bëhet Shesh (Bulevard), pasi i plotëson të gjitha kushtet për një gjë të tillë, bazuar edhe në Planin e Mobilitetit. Kjo do të ju jepte mundësi qytetarëve, të lëvizin lirshëm dhe do të rriste sigurinë për këmbësorët dhe çiklistët. Faktori tjetër, është ndotja e ambientit dhe zhurma që shkaktojnë automjetet brenda qendrës së Vitisë dhe largimi i tyre sa më larg qytetit është rekomandim i mekanizmave ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, thuhet tutje në komunikatë, se kanë kaluar 20 vite pas luftës, dhe nuk është bërë asgjë serioze që qyteti të përshtatet me kërkesat e banorëve të Vitisë, por një gjë e tillë është prolonguar pafundësisht, në mungesë serioze të vendimmarrjes nga të gjitha pushtetet.

“Shoqëria Civile, do të ndjek me shumë seriozitet reflektimin e pushtetit aktual në Viti, përballë kërkesave të qytetarëve dhe bizneseve, që Vitia të ndryshoj pamjen e trashëguar qysh nga pushteti i okupatorit serb, dhe ajo të përshtatet me modelet e qyteteve evropiane, duke u krijuar sheshe (Bulevarde) në funksion të lëvizjes së lirë e të sigurt të qytetarëve. Shoqëria Civile i kërkon pushtetit aktual, që ta nxjerrë nga reanimacioni Planin e Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban (PMQU), i cili, u lansua me shumë pompozitet, por që prej më shumë se 4 vitesh, nuk ka nisur të zbatohet. Kjo Shoqëri, kërkon që sa më shpejtë të fillohet me implementimin e këtij plani, i cili ka ofruar opsionin se si mund të krijohen hapësira për lëvizjen e lirë të qytetarëve në qendër të Vitisë dhe sigurinë në komunikacion në përgjithësi në komunën e Vitisë. Në Planin e Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban (PMQU), është i planifikuar edhe dislokimi i parkingjeve për vetura civile dhe taksi, nga parkingu rreth parkut aktual në pjesën jugore të qytetit dhe në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Në sheshin i cili do të krijohet, do të lejohet qasje e kufizuar vetëm për raste emergjente dhe në termine të caktuara furnizim i lokaleve dhe bizneseve të cilat gjenden ne zonë”, përfundon komunikata.
Shoqëria Civile së bashku me bizneset që operojnë në një pjesë të rrugës “Adem Jashari”, dhe përfaqësues të shoqatave lokale në këtë komunë, i është drejtuar edhe zyrtarisht Komunës së Vitisë, me një kërkesë të protokolluar, për të filluar me implementimin e Planit të Mobilitetit (PMQU).

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*