Auditori shkruan zi e terr për 4 komuna të Anamoravës

Spread the love

Auditori shkruan zi e terr për 4 komuna të Anamoravës

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur jo pak shkelje e parregullsi në katër komunat të rajonit të Anamoravës, transmeton Plus Tv.

Shkelje të shuma ka identifikuar Zyra Kombëtare e Auditimit ( ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 për Komunën e Kllokotit, Kamenicës, Parteshit dhe Ranillugut, të gjitha këto pjesë të rajonit të Anamoravës ku ZKA tashmë ka publikuar raportet e saj për komunat në fjalë.

Numër i madh parregullsish nga më të ndryshmet, nisur që nga keqmenaxhimi i buxhetit përmes raportimit të gabueshëm nëpër kategori ekonomike, dështimi i implementimit të projekteve kapitale, vonesat në realizimin e projekteve konform afateve ligjore, në anën tjetër, punësimi i një numri të madh personash me kontratë mbi vepër, mos zbatimi i rekomandimeve të auditimit të brendshëm, rritja drastike e obligimeve të papaguara, etj. janë identifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të kenë ndodhur në Komunat e Anamoravës gjatë vitit 2018.

Kështu, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Kllokotit, komunë kjo me shumicë serbe, ka blerë 3 telefona mobilë në vlerë prej 2.769 eurosh pa iu nënshtruar fare procedurave të prokurimit, ashtu siç parashihet me ligj. Sipas ZKA-së, anashkalimi i procedurave të prokurimit të parapara me ligj mund të çojë në favorizim të operatorëve të caktuar dhe në dëmtim të buxhetit përmes mosarritjes së vlerës për paratë e shpenzuara.

Vetëm gjatë vitit të kaluar kjo komunë ka punësuar 26 punëtorë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, dhe nuk ka respektuar asnjë procedurë të thjeshtëzuar të punësimit, përcjellë Plus Tv.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018, buxhetit të Komunës punësimi i këtyre personave i ka kushtuar 26,323€.

Auditori ka gjet parregullsi të mëdha edhe në manxhimin e Komunës së Kamenicës, si mosrespektimi i legjislacionit lidhur me të punësuarit e rregullt dhe për shërbime të veçanta.

“Gjatë rekrutimit të stafit të ri, në dy raste nuk ishin respektuar kërkesat që burojnë nga Ligji për shërbyesit civil, Neni 28 pika 1.1. Gjatë vitit 2018, në Komunë ka pasur të punësuar për shërbime të veçanta për të cilët kohëzgjatja e tyre në punë nuk ishte në përputhje me legjislacionin, ku katër prej tyre kohëzgjatjen në punë e kishin më shumë se 6 muaj”, thuhet në raport.

Për Kamenicën është evidentuar në raport se Komuna nuk ka arritur të realizoj buxhetin për të gjitha kategoritë e shpenzimeve në nivelin e pritur, ku posaçërisht ndryshimi më i theksuar është te kategoria e Mallrave dhe shërbimeve dhe e Investimeve kapitale.

“Ndonëse në nivel të përgjithshëm realizimi i buxhetit ishte 91%, në nivel të disa kategorive, si te mallrat dhe shërbimet realizimi i buxhetit ishte 73% dhe te investimet kapitale realizimi ishte 64%. Ky ndryshim ka ndodhur nga mos planifikimi real i të hyrave dhe investimeve kapitale”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Kurse, në Komunën e Ranillugut, sipas ZKA-së, edhe pse ka një përmisim të dukshëm krahasuar me vitin e kaluar, ekzekutimi i ulët lidhur me investimet kapitale është ende sfidë me të cilën përballet komuna. “Këtë vit realizimi i buxhetit për investime kapitale kap vlerën prej 76% dhe është
gati dyfish më i lartë se realizimi vitin e kaluar”, thotë auditori.

Në Ranillug, auditori ndër të tjera ka gjetur mos regjistrimin e duhur te hyrave sipas kategorisë.

Nderkaq, Auditori në raport ka gjetur jo pak parregullsi edhe në qeverisjen e komunës së Parteshit, një komunë kjo e cila udhëhiqet nga serbët.

Auditori i Përgjithshëm thotë se kjo komunë ka mungesë të planit të prokurimit dhe menaxhim i dobët i pasurive jo financiare.

“Komuna nuk ka arritur të plotësojë kërkesën ligjore për të përgatitur dhe
dorëzuar planin e prokurimit për procedurat që do të zhvillohen në vitin 2017. Komuna nuk kishte përgatitur as planin paraprak i cili dorëzohet tek Zyrtari Kryesor Financiar e as atë përfundimtar i cili duhet të dorëzohet në AQP. Kjo çështje është trajtuar edhe në raportet e viteve paraprake, mirëpo menaxhmenti nuk kishte marrë veprimet e nevojshme për zbatim”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Keto janë vetëm disa nga parregullsit e mëdha në manxhimin e Komunave te ketij rajoni të Kosovës, janë evidentuar në raportet e auditimit për vitin e shkuar. transmeton Plus Tv.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*