Afera e fajdeve, Kadri Veselit i kërkohet dorëheqja

Spread the love

Gresa Bajraktari

NGA GRESA BAJRAKTARI

Kadri Veseli Dyshime për ndikimin e politikës në drejtësi

Disa video-incizime janë publikuar, ku shihen disa persona të dyshuar për vepra kriminale teksa marrin para dhe përmendin dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.

Rasti që përmendet në këto video i takon periudhës kohore 2012/2013.

Kreu i Kuvendit Veseli, ka mohuar përfshirjen në këtë aferë dhe ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse vërtetohet se ka qenë i përfshirë në aferën e fajdeve.

“Dua të deklaroj se unë nuk kam të bëj asgjë me këtë rast dhe as me personat e përfshirë në këtë rast. Ky është një rast klasik i mashtrimit dhe i manipulimit, për çfarë jam i bindur se edhe organet e hetuesisë dhe të drejtësisë kanë qenë në dijeni me kohë”, ka thënë Veseli para mediave pas publikimit të video-incizimeve.

Ai po ashtu ka deponuar kallëzim penal ndaj atij grupi, për shkak të keqpërdorimit të emrit.

“Unë do t’i shkoj deri në fund qartësimit të këtij rasti dhe sjelljes para përgjegjësisë penale për të gjithë të përfshirët, ata që e kanë bërë krimin dhe ata që e kanë fshehur krimin për gjashtë vjet”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Por, a duhet të jap dorëheqje kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, meqë emri i tij po përmendet krahas personave tjerë si person që ka pranuar 200,000 euro në aferën e ndërlidhur me fajde, e që lidhet me ndërtimin e një spitali afër QKUK-së?

Pse politikanët në Kosovë nuk e njohin aktin e dorëheqjes ndërkohë që vazhdimisht përmenden se janë të përfshirë në afera e keqpërdorime të ndryshme?

Millaku: Kjo aferë dhe shumë afera tjera janë kryekëput të lidhura me politikën mafioze të pushtetit e të PDK-së

Image

Drita MillakuFOTO GALERI

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë se kjo dhe shumë afera tjera janë të lidhura me politikën mafioze të pushtetit, atë PDK-së, derisa përmend dhe aferën Pronto.

“Kjo aferë dhe shumë afera tjera janë kryekëput të lidhura me politikën mafioze të pushtetit e konkretisht të PDK-së. Ne jemi dëshmitarë të aferës Pronto dhe prokuroria jonë deri më tani asnjë të dënuar se kemi. Edhe kjo aferë është e vitit 2012, nuk është e tanishme, andaj edhe tash nuk jemi duke i besuar këtij sistemi të drejtësisë. Janë persona të cilët i kanë vendosur vetë për t’i mbijetuar ata e jo për t’i gjykuar, këtë tanimë nuk e themi veç ne, e thonë edhe shoqëria civile edhe miqtë tanë ndërkombëtarë sepse u ka dalë për lëndine”, ka vlerësuar ajo.

Millaku thotë se nuk pret dorëheqje nga asnjë politikan, aq më pak nga Kadri Veseli.

“Në këtë qeverisje nuk ka politikan që pres të jep dorëheqje e aq më pak kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, sepse lëndën aq mirë e kanë trajtuar sa që e kanë bartur nga Prishtina në Ferizaj dhe mënyra se si e kanë trajtuar të jep dyshime se këta persona do të mund të dënohen”, është shprehur ajo.

Sipas saj, gjykatës e prokurorë do të ndëshkohen nga qytetarët, duke shtuar se kjo mafi ka 20 vite që funksionon e lirë, e lidhur ngushtë me njerëz të afërt në politikën në qeverisje.

“Por një gjë e di shumë mirë, gjykatës dhe prokurorë të këtij vendi duhet dhe do të jenë qytetarët të cilët do t’i ndëshkojnë me votë. Ky është vetëm një demaskim i radhës që kanë bërë, ka shumë më shumë që në një vend ku do të sundonte ligji këta as që do te mund të ishin në këto pozita. Kjo mafi që 20 vite funksionon e lirë, vepron e lidhur ngushtë me njerëz të afërt me politikën në qeverisje”, ka deklaruar deputetja Drita Millaku për “Bota sot”.

Gecaj: Rreth këtyre incizimeve ka paqartësi të shumta

Image

Bajram GecajFOTO GALERI

Ndërsa, zyrtari nga radhët e LDK-së, Bajram Gecaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Veseli do të ishte mirë të japë dorëheqje nga pozita, derisa të sqarohen këto video-incizime.

“Dorëheqja është një akt moral dhe etik i politikanëve të përgjegjshëm, por se si duket të tillë kemi shumë pak në Republikën e Kosovës. Kadri Veseli do të ishte mirë të jepte dorëheqje nga pozita e tij, së paku derisa të sqarohen në tërësi këto video-incizime”, është shprehur ai.

Gecaj thotë se rreth këtyre incizimeve ka shumë paqartësi dhe se përse organet e drejtësisë nuk janë marrë me këtë çështje që nga viti 2012 kur ka ndodhur.

“Kjo, sepse rreth këtyre incizimeve ka paqartësi të shumta, siç është vet fakti se përse përmendet Veseli në këto incizime nga individët tanimë të arrestuar dhe/ose të hetuar për çështjen e fajdeve, përse z. Dalladaku përmend mu emrin e Kadri Veselit, duke u interesuar nëse i ka marrë paratë dhe përse që nga viti 2012 organet e hetuesisë asnjëherë nuk e kanë marrë në pyetje z. Veseli në lidhje me këto incizime. Nëse z. Veseli është i pafajshëm, atëherë i fajshëm është tërë sistemi i gjyqësisë, të cilin duhet ristrukturuar nga e para”, ka deklaruar Bajram Gecaj për “Bota sot”.

Krasniqi: Çdo emërim i prokurorëve dhe gjykatësve, ka shkuar përmes filtrave të këtij klani mafioz

Image

Faik KrasniqiFOTO GALERI

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë se po të kishte drejtësi të pandikuar nga politika në Kosovë, pjesa më e madhe e politikanëve do të ishin në burg, duke filluar nga klani Pronto.

“Se drejtësia në Kosovëështë e ndikuar nga politika, nuk është diçka e re. Sikur të kishim drejtësi të pandikuar nga politika, pjesa më e madhe e politikanëve do të duhej të ishin në burg. Prej fillimit Klani Pronto është kujdesur që organet e drejtësisë ta kenë në anën e tyre, në mënyrë që të zhvillojnë lirshëm aktivitetin e tyre kriminal. Çdo emërim i prokurorëve dhe gjykatësve, ka shkuar përmes filtrave të këtij klani mafioz, duke filluar nga emërimi i Aleksandër Lumezit në postin e kryeprokurorit të shtetit”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas Krasniqit, edhe ky rast do të mbyllet sikur s’ka ndodhur asgjë dhe deri tani asnjë politikan në Kosovë nuk ka dhënë dorëheqje për raste të tilla.

“Prandaj edhe ky rast do të mbyllet sikur s’ka ndodhur asgjë, sikurse edhe qindra raste të tjera kur kanë pasur të bëjnë me njerëzit e Klanit Pronto. Asnjë politikan i Kosovës deri më tash nuk ka dhënë dorëheqje. Ky është mentaliteti i tyre. Në Kosovë shumica e politikanëve janë të tillë. S’kemi të bëjmë me politikanë, por me grupe kriminale të veshur me petkun e politikanit”, ka deklaruar Faik Krasniqi.

Burjani: Ky proces i bërë publik duhet në radhë të parë të verifikohet tërësisht

Image

Blerim BurjaniFOTO GALERI

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, ka vlerësuar se ky rast duhet në radhë të parë të verifikohet, pasi personat e fajdeve e përmendin Veselin, ndërsa ai e mohon përfshirjen në këtë rast.

“Ky proces i bërë publik duhet në radhë të parë të verifikohet tërësisht, Kadri Veseli e mohon plotësisht përderisa video-incizimet dhe personazhet e fajdeve e përmendin atë. Kjo ka nevojë në radhë të parë për qartësim, nuk duhet të shpejtohet mekualifikime të menjëhershme, pra duhet të vërtetohet përmes institucioneve të rendit dhe ligjit. Kjo aferë po ndikon edhe në karrierën politike të liderit të PDK-së, kjo çështje mbetet e PDK-së ta vlerësojë imazhin e Kadri Veselit. Sidoqoftë është dëmtim i madh që i është bërë Kadri Veselit me këto video-incizime dhe nuk dihet cila është e vërteta e kësaj teme”, ka deklaruar Burjani për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, lidhur me këtë rast, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës, të hënën, ka arrestuar pesë persona, përderisa dy të tjerë kanë mbetur në kërkim policor.

Ata janë arrestuar nën dyshimet për “fajde, detyrim dhe mashtrim”.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*