DW: Kosova dhe Donald Trump – SHBA fuqia mbrojtëse e Kosovës

Spread the love

Ajo çfarë tani duket si përshkallëzim, është vetëm hapi i ardhshëm drejt shkëputjes përfundimtare të Kosovës nga Serbia. SHBA-të dhe Rusia i kanë zënë pozicionet. BE-ja duhet të jetë më aktive, thotë në komentin e saj Adelheid Feilcke, drejtore e Departamentit të Evropës në Deutshe Welle.

Ajo që tani po ndodh me Kosovën, po ndjek logjikën e rendit të ri botëror, të rendit botëror të Donald Trumpit ose të Valdimir Putinit e jo logjikën e OKB-së apo të BE-së. Dhe kështu nuk është çudi që avokati më i rëndësishëm i kosovarëve është SHBA-ja, ndërsa Rusia mbështet qëndrimet e Serbisë. Rusia në anën e Serbisë, SHBA-ja si fuqia mbrojtëse e Kosovës.

Këtu në periferi të Evropës po piketohen sferat e interesit: Pasi Mali i Zi vitin e kaluar u anëtarësua në NATO edhe Maqedonia pas zgjidhjes së çështjes së emrit, mund t’i bashkohet së shpejti aleancës mbrojtëse perëndimore, ndërsa në Ballkan do të mbeten vetëm tre vende me përkatësi politike të pasqaruar: Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Edhe pas vitesh dhe dekadash përpjekjesh diplomatike të përsëritura, sidomos nga ana e BE-së, është arritur shumë pak në drejtim të çtendosjes dhe nuk dihet se ç’drejtim po merr situata.

Dobësi e organizatave shumëkombëshe

Po në këtë linjë edhe zhvillimet e fundit në Kosovë janë një simptomë e dobësisë së organizatave shumëpalëshe, sidomos të BE-së dhe të OKB-së. Në një përpjekje për të balancuar interesat kundërthënëse të anëtarëve të tyre, ata nuk janë në gjendje të japin deklarata të qarta. Vërtet që, të alarmuar me ngjarjet e javëve të fundit, të gjithë apelojnë për moderim, por këto apele nuk mbeten pa efekt.

Sidomos BE-ja ka humbur jo vetëm simpatinë, por edhe autoritetin, sepse ajo nuk është në gjendje ta mbajë fjalën për perspektivën e anëtarësimit, pasi në radhët e BE-së tendenca kundër integrimit të Ballkanit Perëndimor nuk po bie, por po rritet. Politikanët e Ballkanit Perëndimor kanë kohë që e kanë kuptuar këtë dhe po ndjekin axhendat e tyre: Këto kanë të bëjnë me ruajtjen e pushtetit personal dhe me interesat kombëtare në ekonomi dhe çështje të sigurisë. Bota e bukur e vlerave të një Europe të bashkuar e demokratike nuk ndodhet më në plan të parë.

Politika e brendëshme përfiton nga tensionet

Dhe kështu krijohen hapësira veprimi që nuk kanë si synim parimor bashkëveprimin e ndërsjelltë në rajon, por realizimin e interesave të veçanta – edhe duke vendosur kufizime, siç janë tarifat doganore prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës. Ëndrra për t’i bashkuar të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në një zonë ekonomike duke evituar kështu konfliktet e shtetësisë tani për tani duket se është vanitur.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*